Shkodër, ndalohen dy persona të dyshuar për vrasjen e ish deputetit Pashko Ujka

Policia e Shkodrës ka ndaluar të enjten dy persona, të dyshuar si autor të vrasjes së ish deputetit dhe ish kryetarit të komunës Velipojës, Pashko Ujka. Zëdhënësja e policisë i tha Zërit të Amerikës se dy të dyshuarit janë shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, ku po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Ish deputeti Pashko Ujka ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, kur u plagos të hënën në mbrëmje, në afërsi të banesës, në qendër të qytetit të Shkodrës. Sipas saj, nuk është dëgjuar e shtënë arme, ç’ka lë të dyshohet se ndaj tij është qëlluar me armë me silenciator. Ish deputeti Ujka u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku, me gjithë kujdesin e ekipeve mjekësore, nuk arriti t’i mbijetojë një plage të marrë në kurriz.

Dyshimet e para rreth vrasjes së Pashko Ujkës lidhen me detyrën e tij si kryetar i komunës së Velipojës në periudhën 2011-2015, komunë kjo, që në atë periudhë, administronte një nga plazhet më të rëndësishme të vendit, atë të Velipojës, me një numër të madh ndërtimesh të jashtë ligjshme.

Go to TOP