Sheremet Sejdiu: Djemtë e mi ranë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë

NGA KUJTESA E DITËS 28 SHKURT 1998

Brahim Ajeti, vëllai më thoshte: Ishalla nuk më del shpirti pa luftu me shka.

Sa herë vjen data 28 shkurt para meje më shfaqen imazhet e trishta të barbarisë serbe në fshatrat Likoshan e Qirez të Drenicës. Si në një shirit filmik më rishfaqen skenat e të tmerrit para dyerve të familjes Ahmetaj në Likoshan, gropat e mbushura me pellgje gjaku, dhëmbë të thyer e flokë të nxjerra, pamje që të ngjethnin mishin e trupit. Një traktor me një qerre tërheqëse ishte para dyerve dhe njerëzit e trishtuar po vendosnin në të trupin e pajetë të luftëtarit të lirisë Rexhep Ajet Rexhepi. Këto ishin skenat e para që hasëm në Likoshan vetëm 30 minuta pas tërheqjes së forcave serbe. Njerëzit plotë mllef e të trishtuar nga skenat e tmerrit u shkonin çurkat e lotëve pandërprerë. Rrëfimet e djaloshit që kishte përcjell tërë këtë barbari nga tavani I shtëpisë ku ishte strehuar ishte mjaft rrëqethës. As ai nuk besonte se gjendet në mesin e të gjallëve , gjithçka i dukej si një ëndërr e pabesueshme kur shihte veten në mesin e të gjallëve. Dhjetëra anëtar të familjes nuk gjenden askund, flitet se janë ekzekutuar dhe kufomat e tyre janë bartur në spitalin e Prishtinës. Duke kaluar nga shtëpia në shtëpi, përmes ca rrugicave arrijmë në Qirez ku nuk janë kursyer nga plumbat as nën Rukija me foshnjën në bark, por mbi të gjitha ajo që na tronditi pamasë ishte vrasja e katër bijve të Sheremet Sejdiut. Aty askush nuk mund të përmbahet nga lotët. Të tronditur tejmase arrijmë edhe te shtëpitë e fundit të lagjes Rexhepi, ku tashmë ka arrit kufoma e Rexhep Ajet Rexhepit, ku pranë tij qëndron një burrë me qëndrim malësori, i vëllai Brahim Ajeti i cili burrërisht pranon ngushëllimet për vëllain dhe djalin Beqirin. Edhe sot ndonëse kanë kaluar vite të tëra më tingëllojnë fjalët e tij, kur të tjerët e pyesnin a po mërzitësh, për vëlla. Jo thoshte nuk po mërzitem hiq, se kështu e ka dashtë dekën ti vijë, gjithmonë më ka thënë: Inshalla nuk më del shpirti pa luftue me shka, dhe kjo dëshirë ju realizua. Kjo natë solli kumtin e dhimbshëm për vrasjen e 24 njerëzve në fshatrat Likoshan e Qirez. Ploja serbe po përsëritej sërish në këto treva. Drenica u vesh me pikëllim. Të nesërmen lumi i njerëzve vërshoi nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojeve shqiptare. Një solidaritet I paparë me banoret e këtyre trevave. Dita e nesërme agoi me peshën e dhimbjes e pikëllimit për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit. Ajo që dhembte në shpirt kur shihje para dyerve të shtëpisë Sheremet Sejdiu që kishte humbur katër djem në lulen e rinisë, vargun e njerëzve për ngushëllime që s’kishte të ndalur. Ky burrë mahniti të gjithë ata që e ngushëlluan me qëndresën e tij prej burri. Shumë nga ne u turpëruam para tij në pamundësi të përmbahemi nga lotët, ndërsa ai me një qëndrim burrëror se djemtë e tij kishin rënë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Përkundër dhimbjes, ai mahniti edhe gazetarët e shumtë duke mbajtur një qëndrim dinjitoz. Përkundër dhimbjes, për të liria e Kosovës kishte më shumë domethënie se gjithçka tjetër. Ky burrë Drenice herë herë më dukej sikur ishte veshur me përmasa mitike. Besimi te Zoti dhe Liria e Kosovës ishin dy pikëtakime që atë e bënin të fort e të papërkulur përballë kësaj mandate që e kishte pllakosur.

Izet ABDYLI


Go to TOP