Shënohet 80-vjetori i ShFMU “Idriz Barani” dhe promovohet monografia për historikun e saj

Në një atmosferë festive dhe emocionuese në ambientet e shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët SHFMU Idriz Barani, u shënua 80-vjetori i hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe në këtë trevë, 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe 26-vjetori i Çlirimit të Skënderaj.

Ngjarja u bë edhe më madhështore me promovimin e monografisë kushtuar historikut, rrugëtimit dhe brezave të kësaj shkolle, një vepër që dokumenton dhe ruan kujtesën historike të arsimit shqip dhe kontributin e shumë gjeneratave ndër vite.

Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës, ish-nxënës, prindër, mësimdhënës, kolegë, poetë dhe shkrimtarë nga Klina, Malisheva, Mitrovica, Prishtina, Vushtrria dhe Podujeva, si dhe artistë e veteranë të arsimit. Të pranishëm ishin gjithashtu deputeti i të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, z. Bekim Haxhiu, si dhe mysafirë të shumtë.

Programi promovues u pasurua me kumtesa dhe vlerësime nga redaktori i librit prof. Fazli Hajrizi dhe recensenti z. Avni Spahiu, të cilët theksuan rëndësinë historike, arsimore dhe kulturore të kësaj monografie.

Momente të veçanta emocionale sollën edhe fjalët e ish-mësuesit të autorit, prof. Behlul Spahiu, i cili kujtoi rrugëtimin e tij në këtë shkollë dhe vlerësoi autorin e veprës. Po ashtu, ish-nxënësi i autorit, prof. Hajdar Beka, shprehu respekt dhe mirënjohje për punën dhe përkushtimin shumëvjeçar.

Një nga momentet më prekëse ishte paraqitja e veteranit më të moshuar të shkollës, z. Met Ahmetaj, i cili ka shërbyer si mësues rreth 70 vite më parë dhe solli kujtime të vlefshme nga dekadat e para të arsimit në këtë shkollë duke rikthyer në vëmendje sakrificat për ruajtjen e arsimit shqip.

Veprimtaria u shoqërua me recitime poetike nga nxënësit e shkollës dhe me interpretim artistik nga z. Shaqir Bejta nga Drenica dhe Skënderaj, të shoqëruar nga violinisti prof. Ferat Shala. Programi u përmbyll me një valle tradicionale të realizuar nga nxënësit duke i dhënë ngjyrë dhe emocion kësaj feste të dijes dhe kujtesës historike.

Programin e udhëhoqi ish-mësuesja e kësaj shkolle, znj. Vlora Uka Haxhiu, ndërsa aktiviteti u dokumentua nga kameramani z. Gani Kryeziu nga Kamenica, të cilit iu shpreh falënderim për përkushtimin.

Autori i monografisë shprehu mirënjohje për drejtorin e shkollës z. Sami Tahiraj për ndarjen e mirënjohjes, si dhe për këshillin organizativ dhe të gjithë kontribuuesit e tjerë.

Kjo ditë u përmbyll si një dëshmi e gjallë e lidhjes së fortë ndërmjet shkollës, brezave dhe atdheut – një festë ku u bashkuan historia, kultura, arsimi dhe krenaria kombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP