Shembja e rrugës në Prishtinë, Sveçla kritikon kryetarin

Pas shembjes së një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka kritikuar mungesën e kontrollit në ndërtime dhe pasojat për qytetarët.

Sveçla ka kritikuar se ndërtimet po realizohen pa mbikëqyrje të duhur, lejet ndërtimore jepen pa respektuar standardet, institucionet nuk funksionojnë si duhet, dhe qytetarët gjenden nën rrezik.

Sveçla ka theksuar se ky është rezultati i një qeverisjeje që është larg realitetit dhe që ka humbur kontaktin me nevojat e qytetarëve.

“Kjo është pasojë e një qasjeje ku kryetari sillet si figurë e politikës qendrore dhe pozita e të parit të qytetit përdoret për spektakël, jo për shërbim”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Lidhur me kryetarin Përparim Rama, Sveçla ka deklaruar se ai ka vendosur imazhin personal mbi përgjegjësinë institucionale dhe propagandën mbi punën konkrete.

“Ndërkohë, Prishtina po paguan çmimin me kaos urban, pasiguri dhe një qytet që çdo ditë po përkeqësohet. Qytet që po vuan”, ka shtuar ai. /Kosova.info/


Go to TOP