BIRN: Paratë nga RTK janë obligime të papaguara që nga viti 2019

Nga xhirollogaria e RTK-së janë tërhequr mbi 150 mijë euro në favor të Operatorit Ekonomik Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, përmes një procesi përmbarimor dhe pa arritjen e një marrëveshjeje paraprake ndërmjet palëve.

BIRN Kosova ka sqaruar se mjetet e tërhequra janë pjesë e obligimeve të papaguara për bashkëprodhimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, borxh i cili, sipas tyre, daton që nga viti 2019. Sipas tyre, shuma prej rreth 151 mijë eurosh përfaqëson pagesa të papërmbushura për mbi 100 emisione hulumtuese.

BIRN Kosova thekson se procesi ka kaluar nëpër të gjitha shkallët ligjore, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit, dhe se gjatë kësaj kohe RTK kishte refuzuar marrëveshje për pagesë me këste. Sipas tyre, në këtë fazë procedurale, marrëveshjet e tilla nuk janë më të mundshme.

BIRN Kosova gjithashtu ka bërë të ditur se këto mjete kanë qenë të parapara në buxhetin e RTK-së ndër vite, në përputhje me obligimet ligjore që televizioni publik të ndajë 20% të buxhetit për prodhim të pavarur.

“Sqarojmë për publikun se në buxhetet e RTK-së, për vite me radhë, këto mjete kanë qenë të ndara përmes Ligjit për Buxhetin, por për shkak se menaxhmentet e RTK-së nuk i kanë përmbushur obligimet sipas faturave, borxhet janë grumbulluar, duke na detyruar që çështjen ta dërgojmë në përmbarim”, thuhet në sqarimin e BIRN Kosova.

“Gjatë gjithë kohës, BIRN Kosova ka treguar vullnet që pagesat e borxheve të realizohen në këste të përcaktuara, të cilat nuk do të krijonin vështirësi financiare për RTK-në dhe nuk do t’ia rrisnin RTK-së kamatën e borxhit.

Menaxhmentet e kaluara të RTK-së në vazhdimësi i kanë refuzuar  marrëveshjet për pagesën me këste.

Mbi këtë bazë, jemi detyruar që mjetet t’i kërkojmë përmes rrugëve ligjore, fillimisht te përmbaruesi e më pas përmes rrugëve ligjore deri në Gjykatën e Apelit”, thuhet në sqarim.

BIRN Kosova ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke theksuar mbështetjen për një RTK të pavarur, të qëndrueshme dhe profesionale, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet për parregullsi, duke i cilësuar si pjesë e një fushate shpifëse.


Go to TOP