Shehu nis mandatin me punë konkrete: Asfaltohen rrugët në fshatin Gjocaj dhe lagjet Krasniqi e Pepshi

Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, e ka nisur mandatin e tij të ri me veprime konkrete në terren. Përmes një njoftimi publik, ai ka bërë të ditur se menjëherë pas përfundimit të fushatës dhe festës elektorale, kanë rifilluar punimet infrastrukturore në disa zona të komunës.

“Sot kemi asfaltuar rrugët lokale në fshatin Gjocaj, në lagjen Krasniqi dhe në lagjen Pepshi. Urime banorëve në këto pjesë të Junikut për rrugët e reja”, ka shkruar Shehu duke theksuar se puna për zhvillimin e Junikut do të vazhdojë pa ndërprerje.

Ai ka shtuar se prioritet i këtij mandati do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë së jetës për të gjithë banorët e komunës. “Festa përfundoi, tani është koha e punës. Vazhdojmë tutje”, ka përfunduar kryetari Shehu. /Kosova.info/


Go to TOP