ShBA dhe BE me mekanizëm të përbashkët për luftimin e propagandës në Ballkan

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Mekanizmin e Koordinuar për Ballkanin Perëndimor, që fokusohet ekskluzivisht në luftimin e manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja dhe ndikimit (FIMI), që përfshin dezinformimin dhe propagandën.

Ky mekanizëm, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, do të forcojë integritetin e informacionit në Ballkanin Perëndimor.

“Mekanizmi do të fuqizojë partnerët që të bëhen të aftë që të adresojnë vetë kërcënimet e FIMI-it dhe të punojnë së bashku për të zvogëluar aftësinë e Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës për të kryer fushata propagande dhe të manipulimit të informacionit në rajon”, tha DASh-i.

Mekanizmi që u lansua, u krijua pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar në Belgjikë të Këshillit Ministror të ShBA-së dhe BE-së për tregti dhe teknologji.

Më 19 maj, gjatë vizitës së nënsekretares amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen, Kosova nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me ShBA-në kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

ShBA-ja tha se Kosova është vendi i 15-të në botë që e përkrah Kornizën e DASh-it për të luftuar manipulimin e informacionit nga shtetet e huaja.

Uashingtoni tha se do të vazhdojë të punojë që rajoni të integrohet në struktura euroatlantike.

“Kjo politikë mbështetet në ruajtjen e integritetit të hapësirës së informacionit digjital. Sot, informacionet e vërteta dhe ato të manipuluara përhapen lirshëm, prandaj informacioni i bazuar në fakte është një aspekt i domosdoshëm i qeverisjes së suksesshme demokratike”, tha DASh-i.

SHBA-ja, por edhe BE-ja, vazhdimisht kanë thënë se shtete të Ballkanit Perëndimor përballen me fushata dezinformimi dhe propagande nga Rusia dhe Kina.

Vitin e kaluar, James Rubin, i dërguar i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë tha se Kremlini po përdor “informacionin si mjet lufte” për të përçarë aleatët e ShBA-së në Ballkan.

Sipas tij, mediat në rajon duhet të rrisin përpjekjet për të zbuluar dezinformimin rus dhe për ta dalluar atë nga e vërteta.

Po ashtu, në fund të vitit të kaluar ishte publikuar një raport për dezinformatat, që ishte hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në raport thuhej se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë ShBA-në si shembull të keq.

Go to TOP