Shasha: Macron të sqarohet nëse ka qëndrim të ri rreth liberalizimit të vizave për Kosovën
Njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, ka thënë se është mirë që presidenti i Francës Emmanuel Macron, të sqarohet nëse ka ndonjë qëndrim të ri lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, tha Shasha.
Shasha theksoi se Kosova i ka kryer obligimet e veta rreth liberalizimit.
“Sot këshilla kryesore diplomatike për Kosovën është: buzëqesh dhe mos thuaj asgjë. Ne veç jemi duke e pritur të buzëqeshur 1 janarin 2024”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK ka dhënë edhe një këshillë në këtë drejtim.
“Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, theksoi drejtori i Institutit EPIK.
