Sfida e “Tiktok-ut” prek edhe nxënësit në Kamenicë, raportohet se disa prej tyre tentuan të vetëlëndohen
Shumë nxënës të Kosovës janë në rrezik. E gjithë kjo si shkak i shpërndarjes së një fenomeni tejet të rrezikshëm që vie nga rrjeti social “Tiktok”.
Vetëlëndimi si rrjedhojë e këtij fenomeni është shpërndarë në disa komuna të Kosovës.
Të premten disa raste janë raportuar edhe në Komunën e Kamenicës.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai theksoi se me datë 11.10.2024 Policia e Kosovës është njoftuar nga Drejtori e një shkolle të mesme të ulet në Koretinë të Kamenicës se disa nxënës të klasave 8 dhe 9 kanë provuar të lëndojnë veten.
Lëndimi i tyre është bërë si shkak i sfidës së rrjeteve sociale në “TikTok”.
“Policia e Kosovës, njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbetet shënim zyrtar”, deklaroi ai.
Në lidhje me këto raste, deklarime shtesë nuk ka pasur ende nga Drejtoria për Arsim në Komunën e Kamenicës, por as nga Prokuroria në Gjilan.
E gjendja edhe më shqetësuese ishte ditët e kaluara në Gjakovë.
Numri i përgjithshëm i nxënësve që lënduan veten si shkak i këtij fenomeni tejet të rrezikshëm shkoi në 19.
Madje në lidhje me këto raste u deklarua disa herë radhazi drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova-Baci.
Ajo madje bëri të ditur se kanë marrë vendim që të ndalohet përdorimi i telefonave nëpër shkolla, si masë parandalimi e përhapjes së mëtejme të kësaj sfide tejet të rrezikshme.
Po ashtu drejtoresha theksoi se të lënduarit nga kjo sfidë ishin nga shkollat e mesme të ulëta , nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
Madje për këto raste mjaftë ët rrezikshme pati një reagim edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.
“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive. Bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisim koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve tanë dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”- ka deklaruar Nagavci.
E thirrje për ndalimin e kësaj dukurie pati edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se është e rëndësishme që të mbrohen fëmijët nga rreziqet e ngjashme.
“Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- është shprehur Haxhiu.
E një rast i ngjashëm pati ndodhur vitin e kaluar në Fushë-Kosovë.
Si shkak i kësaj sfide, rreth 17 nxënës kishin lënduar veten në shkollat “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci”.
Kjo sfidë përmes “tiktok-ut”, ku fëmijët gërvishtin veten me mjete të ndryshme ka çuar deri tek lëndimet e rënda të cilat janë dashur të mjekohen.
Këso lloj raste janë raportuare dhe në Komunën e Lipjanit, derisa bëhet thirrje vazhdimisht për kujdes të shtuar në përdorim të telefonave nga fëmijët.