Seychelles shpall gjendjen e jashtëzakonshme pas një shpërthimi të madh
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në arkipelagun Seychelles, pas një shpërthimi masiv në një zonë industriale në ishullin kryesor, Mahe, si dhe përmbytjeve.
Shpërthimi përfshiu zonën, duke rrafshuar ndërtesat tregtare dhe duke shkatërruar banesat aty pranë, duke lënë një gjurmë shkatërrimi përgjatë bregut lindor të ishullit Mahe.
Presidenti i Seychelles, Wavel Ramkalawan ka urdhëruar të gjithë qytetarët, përveç punëtorëve thelbësorë, të qëndrojnë në shtëpi.
Një numër personash janë plagosur.
Edhe disa persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Shpërthimi ndodhi pak pas orës 02:00 me orën lokale (21:00 në Kosovë, të enjten) në një kompani ndërtimi dhe gurore, ku eksplozivët ruheshin në katër kontejnerë.
Aeroporti ndërkombëtar u dëmtua gjithashtu, pavarësisht se ishte 4 km larg. Shkollat janë mbyllur dhe spitalet po ashtu për të gjithë, përveç rasteve emergjente.
Lëvizja e vetme e lejuar është brenda dhe jashtë ishujve të pushimeve.
“Aeroporti ndërkombëtar i Seychelles është ende funksional dhe shërbimet e trageteve midis ishujve po funksionojnë për vizitorët”, tha llogaria zyrtare e vendit në X.
Shiu jashtëzakonisht i madh gjatë natës ka shkaktuar përmbytje të rënda dhe rrëshqitje të dheut, duke shtuar presionin mbi ekipet e reagimit të ishullit.
Tre persona humbën jetën kur u shkatërruan shtëpitë e tyre.
Përmbytja ka bërë që ujërat e zeza të derdhen në oqean dhe njerëzit këshillohen të mos notojnë.
Duke folur në televizionin kombëtar, presidenti Wavel Ramkalawan i quajti fatkeqësitë binjake një “katastrofë” për vendin dhe u bëri thirrje njerëzve që të tregojnë solidaritet me të prekurit.
