Seuli paralajmëron qytetarët për balona të tjera me mbeturina të dërgura nga Pheniani
Seuli paralajmëroi qytetarët që të shmangin balonat që Pheniani vazhdon të dërgojë në hapësirën jugkoreane dhe të lajmërojnë autoritetet policore ose ushtarake, nëse i shohin ato.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut po dërgon në qiellin jugkorean balona të tjera të mbushura me mbeturina.
Më herët gjatë kësaj jave, Koreja e Veriut lëshoi disa qindra balona që përmbanin jashtëqitje dhe mbeturina të tjera, duke i cilësuar si një “dhuratë të sinqertë” dhe u zotua se do të dërgonte të tjera.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, e cilësoi sot aktin “një sjellje të ulët, të paimagjinueshme”.
Përmes një mesazhi publik, qytetarëve të Seulit u është kërkuar që të mos i preknin balonat ndërsa u njoftua se ushtria ishte angazhuar për heqjen e tyre. Ministria e Mbrojtjes tha se edhe rajoneve të tjera u është kërkuar që të shpërndajnë të njëjtin mesazh.
Koreja e Veriut ka thënë se lëshimi i balonave u bë në kundërpërgjigje të një fushate nga kritikë dhe aktivistë të Koresë së Jugut që dërguan nga ana tjetër e kufirit balona që mbanin fletëpalosje kundër Phenianit, si edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut.