Serwer: Është e dukshme që Vuçiq e pengon dialogun me Kosovën, ai bën ndërhyrje edhe në Mal të Zi e BeH
Profesori në Universitetin John Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, deklaron se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të kishte përparime po të trajtohej Kosova si një shtet fqinj nga Serbia dhe presidenti i saj, në vend që të shihej si territor.
“Serbia mund të deklarojë respektimin e autoriteteve dhe territorit të Kosovës, duke e trajtuar atë në mënyrë fqinjësore. Më pas, ajo mund të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjska dhe për trazirat ndaj trupave të KFOR-it. Një hap i tillë do të transformonte dialogun, edhe pa njohje të plotë diplomatike,” thekson Serwer në një intervistë për gazetën “Danas.”
Megjithatë, ai vëren se Beogradi po ndjek një qasje të kundërt.
“Vazhdimisht e sfidon autoritetin dhe integritetin territorial të Kosovës në çdo rast që i jepet mundësia.”
Serwer thotë gjithashtu se ndërhyrjet e presidentit serb nuk kufizohen vetëm në Kosovë. Sipas tij, Vuçiqi ndërhyn në mënyrë të ashpër edhe në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Ndërhyrja në Mal të Zi është e qartë, ndërsa ajo në Bosnje është më e fshehtë, për shkak të përkrahjes së Milorad Dodik, i cili vepron në linjë me dëshirat e Vuçiqit. Ai synon të krijojë një “botë serbe,” ku Beogradi kontrollon de facto popullsinë serbe në vendet fqinje, dhe po bën progres drejt këtij qëllimi,” shpjegon Serwer.
Profesori amerikan komentoi edhe për refuzimin e Vuçiqit në samitin e BRICS, duke theksuar se Perëndimi nuk shqetësohet nëse Vuçiq merr pjesë ose jo.
“Ai mund të përpiqet t’ua paraqesë këtë si një kthesë drejt Perëndimit, por është pjesë e një narrative të rreme,” shton ai.
Serwer vëren se Vuçiq ka miratimin e Moskës për qasjen e tij “me dy karrige.”
“Moska ka vendosur të tolerojë këtë qasje të Vuçiqit, ndërsa ky i fundit i jep asaj pjesën më të madhe të asaj që ajo kërkon, ndryshe nga marrëdhëniet me Uashingtonin.”
