S’erdhi Elezi: Kurti shkruan për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, i përmend cilësitë që ai duhet t’i ketë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për procesin e intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, që nis sot.
Kurti ka thënë se procesi në fjalë është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Ai tha se Kosova ka nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional.
Sipas tij, i njëjti dhet të jetë i guximshëm, punëtor e energjik.
“Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i vendit nuk e ka përmendur më që prej ardhjes në pushtet prokurorin që kishte ikur në Amerikë, Elez Blakajn.
Këtë të fundit, tani i pari i Qeverisë, dikur kryeopozitar, e shihte si personin ideal për pozitën e të parit në Prokurori.
Madje në lidhje me këtë kishte shpikur edhe disa rima: Shkon Lumezi, vjen Elezi.
Postimi i plotë:
Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit.
Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve.
Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare.
Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor.
