Serbia thotë se ushtarët afër kufirit penguan kontrabandën me drunj

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit të shtunën, duke thënë se autoritetet serbe të sigurisë, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.

Në një komunikatë për media thuhet se ‘autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë’.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Kamenicës.

Duke shpërndarë disa fotografi në Facebook, Kurti ka thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

Go to TOP