Selmanaj: KQZ po dështon në administrimin e procesit zgjedhor
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vonesat dhe dështimet në administrimin e procesit zgjedhor, duke e cilësuar situatën si cenim të besimit publik ndaj zgjedhjeve.
Sipas Selmanajt, pas dështimit të sistemit për procesimin e rezultateve preliminare, tani KQZ nuk po arrin të nisë në kohë as numërimin fizik të votave në qendrat e numërimit nëpër qytete. Ai veçoi rastin e Prizrenit, ku edhe në ditën e tretë pas përfundimit të zgjedhjeve, procesi ende nuk ka filluar.
“KQZ kishte kohë të mjaftueshme për të përgatitur administrimin e zgjedhjeve, por po dështon në realizimin e detyrimit të saj kushtetues dhe ligjor. Si mund të kemi besim në këtë institucion nëse zgjedhjet e rregullta po përballen me probleme të tilla? Çfarë do të ndodhte në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme?”, u shpreh Selmanaj.
Ai kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi administrative e penale për të rikthyer besimin në integritetin e procesit zgjedhor. Sipas tij, pa një ndërhyrje serioze, kredibiliteti i zgjedhjeve në Kosovë do të mbetet i lëkundur. /Kosova.info/
