Selmanaj: Agron Dida i bashkohet LDK-së në Prizren

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, njëherësh anëtar i Kryesisë Qendrore, Driton Selmanaj, ka njoftuar se LDK-së në këtë qytet i është bashkuar një nga emrat më të spikatur të jetës profesionale dhe institucionale, z. Agron Dida.

Dida, ekonomist dhe magjistër i shkencave financiare, vjen me një karrierë të gjatë në administratën publike dhe institucionet financiare të vendit. Ai ka shërbyer si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Bankës Qendrore të Kosovës (ish-BPK), Inspektor i Përgjithshëm, Shef i Auditivit, dhe drejtor i filialit të Shërbimit të Kontabilitetit Shoqëror në Prizren para vitit 1999.

Në vitin 2001/02, Dida ka qenë një nga bashkë-projektuesit dhe implementuesit kryesorë të projektit të suksesshëm të kalimit në valutën Euro në Kosovë – një proces i koordinuar me FMN-në, UNMIK-un dhe Bashkimin Evropian.

Ai ka mbajtur edhe pozita të rëndësishme në fushën e raportimit financiar, si anëtar dhe kryetar i Bordit Kosovar për Standarde të Raportimit Financiar, dhe përfaqësues i Kosovës në Bordet Ndërkombëtare të Standardeve të Raportimit Financiar. Në vitin 2011, është emëruar anëtar i Komitetit të Rishikimit të SNK/SNRF nga Qeveria e Shqipërisë.

Agron Dida ka qenë ligjërues për Banka dhe Financa në Kolegjin AAB dhe aktualisht është kryetar i Federatës së Auto Sporteve të Kosovës (FASK), ku ka drejtuar me sukses garat automobilistike në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai flet rrjedhshëm disa gjuhë të huaja, përfshirë turqisht, anglisht, polonisht dhe serbisht, dhe është fitues i çmimit “Team Excellent Award” nga USAID për kontributin e tij profesional.

“Me z. Agron Dida në radhët tona, LDK forcohet edhe më shumë me përvojë, vlera dhe besueshmëri. Bashkë do të punojmë për Prizrenin dhe do të jemi zëri i qytetarëve në çdo hap”, ka deklaruar Driton Selmanaj.

LDK në Prizren e konsideron këtë bashkëngjitje si një shtim të rëndësishëm të kapaciteteve të saj politike dhe profesionale. /Kosova.info/


Go to TOP