Përfundon seanca për vrasjen e Marigonës, babai i saj kërkon dënim kapital për Sejdiun e Krivaqën – ky i kërkon falje

Ka përfunduar seanca e sotme për rastin e vrasjes së vajzës 18-vjeçare Marigona Osmani. Seancat e radhës ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë janë paraparë të mbahen me 9 dhe 10 nëntor. Prindërit e vajzës së ndjerë dhanë dëshmitë rrëqëthëse për vrasjen e Marigonës. Nëna e saj Valdete Osmani nuk arriti të përmbahej nga lotët, ndërsa babai Muhabi Osmani tha se familja vazhdon akoma me “terapi psikologjike”.

Gjatë dëshmisë së tij, babai i vajzës së ndjerë i ka kërkuar trupit gjykues dënim kapital për të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu. Ndërsa, Krivaqa i ka shprehur ngushëllime atij dhe i ka kërkuar falje. Megjithatë dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm duke e mos i pranuar veprat penale që iu vihen në barrë.

Kjo është seanca e dytë që nga ngritja e aktakuzës për vrasjen e vajzës nga Ferizaj, ku të akuzuar janë ish i dashuri i saj Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm.

“Fillimisht i kërkoj falje familjës së Marigonës dhe i shpreh ngushëllime për vdekjen e vajzës. Unë nuk e pranoj fajësinë për akuzat që i lexoi prokurori”, ka deklaruar Krivaqa.

Valdete Osmani, nëna e vajzës së vrarë Marigona Osmani, në seancën gjyqësore mes lotësh ka deklaruar se fillimisht i kanë thënë se vajza e saj ka vdekur në aksident, duke mos i treguar për vrasjen.

Nëna e të ndjerës tha se kur e ka shikuar kufomën e vajzës e ka parë se ia kishin thyer nofullën dhe dhëmbët.

“Mua nuk më kanë kallxu që e kanë vra, më kanë thënë ka vdekë në aksident. Më kanë kallxu qat ditë që e kanë pru, kur e kam çel kufomën e kam pa krejt zi, çika e ka pas nofullën e thyer dhe dhëmbët”, është shprehur nëna e Marigonës.

Babai i të ndjerës, Muhabi Osmani ka rrëfyer momentin e vështirë se si e mori vesh vrasjen e vajzës.

“Mu më ka thirrë djali i motrës, më ka thënë kqyri rrjetet sociale se po më duket që qajo çika që ka vdekë është Marigona. Unë jam nisë menjëherë në polici dhe me kanë thanë me pritë 20 minuta. Ka dalë hetuesi, më ka thanë merre një dokument identifikimi të Marigonës.  Më kanë thirrë më thanë a po bëhesh i fortë me na tregu a është vajza jote. Në ato momente kur më kanë tregu foton e ka pa u kanë e tmerrshme, e ka pas nofullën e thyer”, tha Osmani në gjykatë.

Ai deklaroi se me Dardan Krivaqen nuk ka dalë asnjëherë, por ka ardhë te shtëpia e tij 2-3 herë,

“qaty kemi bisedu, kështu veçmas jo…”, u shpreh ai.

Raporti i autopsisë ka konstatuar se nga goditjet e shumta, 18-vjeçarja ka pësuar politraumë – lëndime të shumëfishta. Ku vdekja është shkaktuar menjëherë nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik.

Go to TOP