“Sapo të bëhen lekët” – Trafiku Urban proteston edhe sot, pret vendimin e Hekuran Muratit
Kryetari i sindikatës së punonjësve të transportuesve të udhëtarëve në Prishtinë, Ilmi Gashi u ka kërkuar falje qytetarëve të Prishtinës për pezullimin e punës së Trafikut Urban dhe transportuesve privatë në Prishtinë.
Gashi tha se protesta e punëtorëve të trafikut urban dhe operatorëve të tjerë të transportit të udhëtarëve të Prishtinës, do të vazhdojë edhe të hënën.
Transportuesit e udhëtarëve në Prishtinë thanë se do të rifillojnë operimin sapo të alokohen mjetet në llogaritë e tyre. Mjetet do të zhbllokohen vetëm me aprovimin e Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga ministri në largim Hekuran Murati.
“Po presim prej Ministrisë së Financave që ta kthejnë atë vendim këndej [te komuna, v.j]. Deri në momentet kur nuk alokohen borxhet, neve do të protestojmë pa ndërprerë deri të alokohen mjetet”, tha Gashi.
Gashi tha se Komuna e Prishtinës i ka 2.4 milionë borxh transportuesve privatë dhe publikë.
“Ju kërkojmë falje të gjithë qytetarëve të Prishtinës për çdo e keqe që ka ndodh. Shpresojmë që sot ose nesër mos po reflektojnë. Në momentin që alokohen lekët, paratë, ne do të rifillojmë punën”, tha ai.
Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi të premten propozim-vendimin për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025. Bartja duhet të marrë aprovimin e Ministrisë së Financave.
