Sanduloviq: Mediat e Vuçiqit të implikuara direkt me kriminelë që janë nën sanksione të SHBA-së

Kryetari i Partis Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, ka paralajmëruar strukturat e sigurisë në BE, SHBA dhe Britaninë e Madhe, se gazetat e përditshme në Serbi “Alo” dhe “Informer” mund të përfshihen në tregtinë e narkotikëve në territorin e Serbisë dhe BE-së, si dhe pastrim të parave.

Këtë paralajmërim, Sanduloviq e ka publikuar në platformën “X”.

Ai thotë se ka informacione se këto gazeta ditore shërbejnë si fazë ballore për krime të tilla të rënda.

“Meqenëse “ALO” dhe “INFORMER” njihen si grushte rrahëse të regjimit kriminal në Serbi për persekutimin e kundërshtarëve të tyre politikë dhe nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kriminelit të luftës dhe diktatorit Aleksandar Vuçiq, ne nuk jemi në gjendje t’i verifikojmë këto pretendime në autoritetet shtetërore të Serbisë, prandaj u bëjmë thirrje gjykatave ndërkombëtare dhe strukturave të sigurisë që ta kontrollojnë dhe ta përcaktojnë këtë”, shkroi ai.

Tutje, Sanduloviq ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë informacione të nevojshëm, duke thënë se ëshë i gatshëm të përfshihet dhe të kontribuojë 24/7 në këtë proces përcaktimi.

Sipas tij, gazetat e përditshme “ALO” dhe “INFORMER” janë në kontakt me persona që janë nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Këta persona thotë Sanduloviq, akuzohen për krime të rënda, trafik droge, vrasje politike, pastrim parash, tregti armësh dhe terrorizëm, si dhe personat individualë nga ai grup janë në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it.

“Kërkojmë kontrollin e të gjitha kontakteve të gazetave të përditshme “ALO” dhe “INFORMER”, si dhe kontrollin e flukseve të parave që kanë dhe bëjnë këto të përditshme. Veçanërisht duam të theksojmë se gazetat e përditshme “ALO” dhe “INFORMER” kanë marrë pjesë aktive dhe për një kohë të gjatë në nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe kroatëve. Ata me tekstet e tyre ndikojnë aktivisht te populli serb që të krijojë urrejtje ndaj tyre”, shkroi Sanduloviq.

Go to TOP