Kurti vlerëson kontributin e akademikut Emin Riza
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e akademikut Emin Riza duke e cilësuar atë si një nga studiuesit më të shquar të arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në një postim në Facebook, Kurti vlerësoi jetën dhe veprën e Rizës, i cili lindi në Korçë në vitin 1937 dhe ishte djali i albanologut të njohur Selman Riza.
Sipas Kurtit, akademik Emin Riza ia kushtoi gjithë jetën hulumtimit, dokumentimit, restaurimit dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës në Shqipëri dhe në trevat shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore me 18 monografi dhe mbi 100 artikuj shkencorë.
“Me një veprimtari të gjerë shkencore dhe botuese, Emin Riza dha një kontribut tejet të gjerë në ngritjen e kuadrove profesionale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore arkitekturore. Emin Riza është autor i 18 monografive dhe i mbi 100 artikujve shkencorë, që paraqesin një bazament tekstual shkencor shumë të vëllimshëm dhe të gjithëmbarshëm për të gjithë studiuesit e fushave të përafërta me temat e interesimit akademik të Profesor Rizës”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Riza kishte rol kyç edhe në hartimin e legjislacionit për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në përgatitjen e dosjeve që mundësuan përfshirjen e qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
“Akademik Emin Riza do të kujtohet bashkë me veprën e tij të shkruar dhe me trashëgiminë e punës së tij në institucionet publike në Shqipëri dhe Kosovë”, shkroi Kurti.
Në fund të mesazhit, kryeministri në detyrë u shprehu ngushëllime familjes Riza, kolegëve, miqve dhe të afërmve të akademikut të ndjerë. /Kosova.info/
