Sadiku: Prishtina avancon në menaxhimin e infarktit akut të miokardit – 42 raste të trajtuara me STEMI

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se po vazhdon me sukses projekti për menaxhimin e infarktit akut të miokardit me elevim të segmentit ST (STEMI). Ky projekt, i nisur në vitin 2023 në bashkëpunim me Qendrën e Mjekësisë Urgjente dhe Klinikën e Kardiologjisë, synon trajtimin e shpejtë dhe të koordinuar të pacientëve me infarkt akut duke rritur gjasat për shpëtimin e jetës dhe minimizimin e dëmtimit të muskulit të zemrës.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, gjatë vitit 2024 janë trajtuar 33 raste përmes këtij sistemi, ndërsa në dy muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar edhe 9 raste të tjera.

“Falë këtij projekti, është shkurtuar ndjeshëm koha e trajtimit të infarktit akut të miokardit, e cila është jetike për suksesin e menaxhimit të kësaj sëmundjeje. Do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime mjekësore cilësore që shpëtojnë jetë,” tha Sadiku.

Ai falënderoi stafin e mjekësisë urgjente për angazhimin e tyre të palodhur në ofrimin e shërbimeve cilësore për kryeqytetasit duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij projekti për përmirësimin e shëndetit publik në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP