Sadiku premton investim në eSports: Kosova synon të organizojë një Major ndërkombëtar brenda mandatit

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, me numër 23, ka prezantuar një nga zotimet që e cilëson si më të afërtin me pasionin e tij personal duke premtuar mbështetje të madhe për zhvillimin e eSports në Kosovë.

Sadiku ka treguar se është rritur pranë kompjuterit dhe se eSports ka qenë hobi i tij më i rëndësishëm duke theksuar se shpesh zgjedh ndeshjet e League of Legends para dueleve të futbollit.

Ai vlerësoi potencialin e madh të të rinjve kosovarë në lojërat elektronike duke theksuar se Kosova renditet ndër vendet me numrin më të madh të lojtarëve të nivelit të lartë në Evropë në raport me popullsinë.

“Kosova është e mbushur me talente të jashtëzakonshme në eSports. Për kokë banori, jemi ndër vendet me më së shumti lojtarë Level 10 në CS në Evropë”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, një nga objektivat kryesore do të jetë që një qytet i Kosovës të shndërrohet në qendrën më të njohur të eSports në Ballkan, ndërsa ka premtuar se vendi do të synojë organizimin e një turneu Major ndërkombëtar të eSports brenda mandatit.

“Sepse talenti ekziston. Të rinjtë ekzistojnë. Ajo që ka munguar deri sot është vizioni”, ka theksuar ai.

Në fund, Sadiku u ka bërë thirrje mbështetësve të LDK-së dhe adhuruesve të eSports që të bashkohen dhe të mbështesin këtë vizion për zhvillimin e industrisë së lojërave elektronike në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP