Sadiku: Kosova po ndërton varësi, jo fuqi ekonomike
Kandidati për deputet nga LDK, Ermal Sadiku, ka ngritur alarmin për modelin ekonomik të Kosovës, duke e cilësuar atë si të paqëndrueshëm dhe të rrezikshëm për të ardhmen sociale.
Sipas të dhënave rajonale, Kosova renditet e fundit për pagën mesatare mujore me 639 euro. Pas saj vijnë Shqipëria me 869 euro, Maqedonia e Veriut me 1,051 euro, Mali i Zi me 1,028 euro dhe Serbia me 1,289 euro.
Sadiku thekson se problemi nuk qëndron vetëm te paga e ulët, por te fakti se Kosova ka shpenzimet më të larta për skema sociale në raport me GDP-në në gjithë rajonin.
“Kjo do të thotë më pak njerëz që prodhojnë vlerë, më shumë njerëz të varur nga buxheti dhe një shtet që konsumon më shumë sesa krijon”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, shteti po zëvendëson ekonominë, në vend që ta zhvillojë atë. Skemat sociale, siç thotë Sadiku, po përdoren si zgjidhje politike afatshkurtra dhe jo si instrument social i targetuar për ata që realisht kanë nevojë.
Ai kritikon edhe gjendjen e sektorit privat, duke vlerësuar se bizneset nuk mund të ofrojnë paga më të larta për shkak të produktivitetit të ulët, tregut të vogël dhe mungesës së investimeve shtetërore në rritje reale ekonomike.
“Nuk po rritet paga, po rritet varësia. Kjo nuk është drejtësi sociale. Është model varfërie i institucionalizuar”, shprehet Sadiku.
Në krahasim me vendet e rajonit, Serbia dhe Mali i Zi, sipas tij, kanë paga më të larta dhe ekonomi më produktive. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë paga më të larta se Kosova me barrë më të ulët sociale. Ndërsa Kosova mbetet me paga më të ulëta dhe barrë sociale më të lartë.
Sipas kandidatit të LDK-së, modeli aktual nuk po krijon qytetarë ekonomikisht të fuqishëm, por përfitues të përhershëm të skemave shtetërore.
“Ne duhet të ndërtojmë ekonomi që prodhon, jo sistem që shpërndan varfëri”, përfundon Sadiku./Kosova.info/
