Sadiku: Filluam pilot projektin për shërbimin fizioterapeutik në kryeqytet
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar për nisjen e një pilot projekti të rëndësishëm që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve fizioterapeutike për herë të parë në kryeqytet.
“Kemi filluar pilot projektin për shërbimin fizioterapeutik në kryeqytet! Për herë të parë, pacientët do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë këtë shërbim direkt në Prishtinë duke u ofruar atyre trajtim më të shpejtë dhe më të afërt,” ka bërë të ditur Sadiku.
Ai shtoi se ky shërbim do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për të gjithë pacientët duke lehtësuar qasjen në trajtime dhe duke rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor në nivel lokal.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Drejtorisë së Shëndetësisë për të përmirësuar shërbimet dhe infrastrukturën shëndetësore në kryeqytet. /Kosova.info/
