Shenoll Muharremi me letër publike Qeverisë: Parandaloni rritjen e tarifave të energjisë për 2025
Eksperti i ekonomisë, Shenoll Muharremi, i është drejtuar me një letër publike Kryeministrit Albin Kurti, Ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe Ministrit të Financave Hekuran Murat duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të parandaluar rritjen e mundshme të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.
Ai paralajmëron se një vendim i tillë nga ZRRE më 11 prill do të thellonte krizën inflacionare dhe do të rëndonte më tej qytetarët dhe bizneset, duke kërkuar që Qeveria të ofrojë një zgjidhje konkrete për të mbrojtur interesin publik.
Letra e plotë:
Letër Publike Qeverisë së Kosovës
Për:
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë
Hekuran Murati, Ministër i Financave
Tema: Tarifat e Energjisë 2025 (Veprimet Urgjente të Domosdoshme)
Të nderuar,
Siç jeni në dijeni, të premten, më 11 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të marrë vendimin për tarifat e reja të energjisë për vitin 2025. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve vitet e fundit. Inflacioni ka qenë historikisht më i larti, dhe kjo ka dëmtuar fuqinë blerëse të qytetarëve dhe ka rënduar ndjeshëm kushtet për bizneset vendore.
Në këtë kontekst, çmimi i rrymës është rritur disa herë, dhe dihet mirë që energjia ka efekt zinxhiror në gjithë ekonominë, nga prodhimi deri te shërbimet dhe të gjitha produktet në raft. Nëse ndodh një tjetër rritje e tarifave, kjo do të nxisë një valë të re të inflacionit që e rëndon tej mase jetën e qytetarëve dhe do e zbeh konkurrueshmërinë e bizneseve vendore.
Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të ketë një rol proaktiv dhe të ofrojë zgjidhje, ashtu siç e kërkon edhe mandati kushtetues dhe politik që ka marrë.
Mungesa e angazhimit qeveritar deri tani
Duhet pranuar, Qeveria, krahasuar me vitet paraprake, nuk ka qenë sa duhet aktive në këtë proces. Ministria e Ekonomisë nuk ka ofruar asnjë propozim konkret. Kryeministri nuk e ka përmendur asnjëherë publikisht këtë çështje. Ministri i Financave, që shpesh komenton çështje të tjera publike, këtë herë ka qenë i heshtur.
Qeveria deri më tani nuk ka përmbushur përgjegjësinë e vet. Por ende nuk është vonë për të vepruar në ditët që kanë mbetur. Ekziston mundësia për të ndihmuar publikun dhe bizneset tona, kuptohet, nëse ka vullnet dhe koordinim.
Zgjidhja Ekziston
Veprimi i parë dhe më urgjent është: Ministria e Ekonomisë të dalë me një zgjidhje konkrete që parandalon rritjen e tarifave dhe pasojat inflacionare. Ju keni përvoja të mira nga viti 2022 dhe ato mund të i përdorin edhe kësaj radhe. Nuk është që ministria nuk ka kapacitete, më shumë duket një neglizhencë për rastin. Kjo nuk është koha për arsyetime, por për zgjidhje konkrete.
Kryeministri duhet të ftojë urgjent ministren e ekonomisë dhe ministrin e financave në një takim të menjëhershëm. Nga ky takim duhet të dalë një qëndrim i qartë i Qeverisë në mbështetje të qytetarëve dhe të ekonomisë vendore.
Të rikujtojmë se nuk ka patriotizëm më të madh sot sesa të parandalohet një tjetër valë inflacioni. Kryeministri duhet të kërkojë që:
(a) Ministria e Ekonomisë të hyjë në dialog intensiv me ZRRE-në,
(b) Ministria e Financave të identifikojë një fond për të përballuar situatën.
Tri shtyllat e zgjidhjes konkrete
Nga hulumtimet tona, një zgjidhje e qëndrueshme përbëhet nga këto tri shtylla:
1. Mos-rritja e humbjeve të KEDS-it. Mos lejoni që konsumatorët të paguajnë për dështimet apo humbjet teknike që nuk janë adresuar nga kompania.
2. Shtyrja e projekteve dytësore, si zgjerimi i rezervave energjetike dhe ulja e linjës buxhetore “shërbimet ndihmëse”, njëjtë si vitin e kaluar.
3. Përdorimi i buxhetit të shtetit për të mbuluar pjesën e mbetur, një “by-pass” financiar që mbron qytetarët nga rritja e faturave.
Kujtojmë që para zgjedhjeve, qeveria kishte arritur të mobilizojë mbi 70 milionë euro për pagesat prej 100 eurosh për qytetarët. Kjo tregon që ka kapacitet, përvojë dhe instrumente financiare për ndërhyrje të shpejta.
Thirrje për përgjegjësi
Ky ekip qeveritar, Kryeministri, Ministrja e Ekonomisë dhe Ministri i Financave, ka përgjegjësi direkte që të veprojë. Duhet të punohet ngushtë ditët në vijim për të ndaluar rritjen e çmimeve të energjisë dhe për të mbrojtur interesin publik.
Ky vendim nuk është vetëm teknik, siç po paraqitet. Ka ndikim të thellë ekonomik dhe social. Prandaj, nuk guxon të lihet vetëm në duart e ZRRE-së, veçanërisht kur ZRRE ka treguar mungesë ndjeshmërie dhe komunikimi publik me qytetarët.
Shpresoj që kjo letër t’ju ndihmojë sadopak të merrni vendimin e drejtë. Ju njoftoj që gjithashtu kam deponuar një raport të gjërë dhe një zgjidhje praktike tek ZRRE. Ato janë gjithashtu publike dhe të qasshme lehtësisht. Në rast se ju duhen, ju lutem përdorini.
Koha është e shkurtër, por zgjidhja ekziston. Tashmë, gjithçka varet nga vullneti dhe përgjegjësia juaj politike.
Ju uroj punë të mbarë dhe vendimmarrje në interes të qytetarëve dhe të ekonomisë së Kosovës.
Me respekt,
