Rusia paralajmëron masa të reja, nëse Perëndimi ia injoron kërkesat

Një diplomat i lartë rus tha të shtunën se vendi i tij mund të marrë masa të reja të pasaktësuara për ta garantuar sigurinë e vet, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të bëjnë veprime provokuese dhe injorojnë kërkesën e Moskës për garanci për moszgjerimin e NATO-s në Ukrainë.

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, i akuzoi aleatët perëndimorë se vazhdimisht po e shtyjnë zarfin në marrëdhëniet me Rusinë dhe paralajmëroi se Moska mund “ta rrisë pazarin”, nëse Perëndimi nuk i trajton kërkesat e saj seriozisht.

Deklarata e zyrtarit të lartë rus në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Interfax” erdhi një ditë pasi Moska dorëzoi një draft të sigurisë duke kërkuar që NATO-ja t’ia mohojë anëtarësimin Ukrainës dhe t’i tërheqë angazhimet ushtarake nga Evropa Lindore. Këto propozime pritet që të refuzohen nga ShBA-ja e aleatët e saj.

“Ata i kanë zgjeruar kufijtë e asaj që është e mundshme, por ata po dështojnë të konsiderojnë që ne do të kujdesemi për sigurinë tonë dhe do të veprojmë në mënyrë të ngjashme me logjikën e NATO-s dhe gjithashtu do të fillojmë t’i zgjerojmë kufijtë e asaj që është e mundshme herët a vonë. Do t’i gjejmë të gjitha rrugët, mënyrat dhe zgjidhjet e nevojshme për ta garantuar sigurinë tonë”, tha Ryabkov.

Ai, megjithatë, nuk saktësoi se cilat veprime do t’i bënte Rusia, nëse kërkesat e saj refuzohen nga Perëndimi, shkruan Independent, përcjell Gazeta Express.

“Nuk duam ndonjë konflikt. Duam që të arrijmë një marrëveshje mbi një bazë të arsyeshme. Para se të bëjmë ndonjë përfundim për atë se çfarë të bëhet tutje dhe cilët hapa mund të merren, duhet të sigurohemi që përgjigjja është negative. Shpresoj që përgjigjja do të jetë relativisht konstruktive dhe ne të angazhohemi në bisedime”, shtoi zyrtari rus.

Go to TOP