Rusia: Lufta e Gazës rrezikon të shndërrohet në një “konflikt në mbarë rajonin”
Rusia po paralajmëron se është rrezik real që kriza aktuale në Gaza “të përshkallëzohet në një konflikt në mbarë rajonin”.
Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, kritikoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veton ndaj një rezolute të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim, e cila ai tha se tani mund të çojë konfliktin në rritje.
“Ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të fajësuar sërish Iranin për gjithçka. Ne i konsiderojmë këto akuza mjaft provokuese. Udhëheqja iraniane merr një pozicion të përgjegjshëm, të balancuar dhe bën thirrje për parandalimin e përhapjes së këtij konflikti në të gjithë rajonin – në vendet fqinje”, tha Lavrov.
I pyetur për mënyrat për të ndaluar gjakderdhjen, Lavrov tha se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u bën thirrje të gjitha palëve që menjëherë t’i japin fund armiqësive është mënyra më e mirë përpara.
“Cilat janë perspektivat? Unë supozoj se konsultimet me vendet e interesuara do të vazhdojnë. Egjipti po merr iniciativën. Ne të gjithë do të dëshironim të shihnim de-përshkallëzimin në Rripin e Gazës”, tha ai, shkruan AlJazeera.
