Rusia bombardon qytetet në mbarë Ukrainën

Autoritetet kanë raportuar për disa shpërthime në perëndim dhe lindje të Ukrainës më 18 prill, teksa forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës.

Pasi kanë dështuar të thyejnë rezistencën ukrainase në veri, ushtria ruse tani ka përqendruar ofensivën e saj në Donbas, në lindje të Ukrainës. Por, Moska po ashtu po kryen sulme ajrore edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytet, Kiev.

Mëngjesin e së hënës janë dëgjuar disa shpërthime në Kiev. Po ashtu shpërthime janë dëgjuar në qytetin ukrainas të Lvivit, ku autoritetet kanë raportuar për viktima.

Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë, nga sulmet ajrore ruse.

Ndërkaq, guvernatori i këtij rajoni, Makysm Kozytskyi, tha se katër raketa ruse kanë goditur Lvivin, tre prej të cilave kanë pasur për cak ndërtesat ushtarake dhe një ka goditur një dyqan gomash.

Ndërkaq, Oleksandr Kamyshin, kreu i shërbimeve hekurudhore ukrainase tha se një prej raketave ka goditur pranë një hekurudhe.

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore kanë qenë më pak të prekura nga luftimet krahasuar me pjesë të tjera të vendit, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk. Agjencia e lajmeve Suspilne ka raportuar se dy persona janë plagosur nga sulmet në këtë rajon.

Njoftimet për sulme në Kiev, Lviv dhe Dipropetrovsk vijnë teksa Rusia ka vazhduar sulmet në lindje të Ukrainës. Kievi, në anën tjetër, është është zotuar se do të “luftoj deri në fund” në qytetin strategjik të Mariupolit.

Teksa sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar ushtarët rusë se po kryejnë tortura dhe rrëmbime në zonat që kanë nën kontroll.

Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftë. Por, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka vlerësuar Rusia, janë bllokuar në fabrikën e çelikut, Azovstal, kompleksi i së cilës është prej 11 kilometrash katrorë.

“Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për ABC. Ai tha se Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur, “por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”.

Ndërkaq, gjatë një adresimi në orët e vona të së dielës, presidenti ukrainas, Zelensky tha se pala ukrainase po bën gjithçka për të mbrojtur lindjen e vendit.

Go to TOP