Rukiqi: Reflektimi të nisë nga degët me rezultatet më të dobëta, jo vetëm nga qendra

Anëtari i Kryesisë së LDK-së në degën e dytë dhe në nivel qendror, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj kërkesave për reflektim brenda partisë pas zgjedhjeve të 7 qershorit duke theksuar se përgjegjësia duhet të nisë fillimisht nga strukturat lokale që kanë shënuar rezultate të dobëta.

Rukiqi ka kritikuar mënyrën se si është mbajtur mbledhja e degës së dytë duke thënë se ajo është thirrur brenda ditës, pa agjendë dhe pa një analizë serioze të rezultatit zgjedhor.

“Reflektimi është i domosdoshëm. Por ai duhet të nisë së pari nga vetë Kryesia e degës. Duhet të nisë nga ata anëtarë të kryesisë që nuk kanë marrë pjesë as në 10 për qind të mbledhjeve të degës, e lëre më të kenë qenë aktivë në proceset zgjedhore”, ka deklaruar ai.

Sipas Rukiqit, neglizhenca dhe mungesa e angazhimit të disa anëtarëve të strukturave lokale kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e dobëta të degës së dytë, të cilat ai i cilësoi ndër më të dobëtat në nivel vendi.

Ai ka vlerësuar se kërkesa për reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore, pa analizuar përgjegjësitë dhe dështimet në nivel lokal, përbën hipokrizi dhe standard të dyfishtë.

“Pa asnjë analizë të përgjegjësive të Degës dhe pa asnjë reflektim për dështimet lokale, të kërkosh reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore e partisë është hipokrizi dhe standard i dyfishtë”, ka theksuar ai.

Rukiqi ka rikujtuar gjithashtu se për udhëheqjen e partisë është shprehur tashmë organi më i lartë i LDK-së, Kuvendi i mbajtur më 31 janar duke kërkuar respektimin e vendimeve të tij.

Në fund, ai ka bërë thirrje që rezultati zgjedhor i 7 qershorit të shërbejë për marrjen e përgjegjësive nga secili nivel i partisë, por jo për t’u përdorur në funksion të agjendave politike të subjekteve të tjera. /Kosova.info/


Go to TOP