Petrit Rudi: Mos marshoni për drejtësi pa përmendur viktimat e LDK-së – Na vratë dy herë!
Petrit Rudi, djali i Fetah Rudit, anëtar i LDK-së që tash e 25 vite jeton në karrocë pas një atentati politik, ka reaguar me një postim të fuqishëm dhe emocional në prag të marshit të paralajmëruar për “Drejtësi”. Ai i drejtohet figurave të njohura të LDK-së si Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Përparim Rama duke kërkuar që në marsh të mbajnë në duar fotografitë e viktimave politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Njëherë na vranë, tash po na vrisni për së dyti,” shkruan Rudi duke përmendur emra si Xhemail Mustafa, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Enver Maloku, Shaban Manaj e shumë të tjerë, për të cilët kërkon drejtësi të vonuar. Ai kujton se për 25 vite, asnjë qeveri nuk pati guximin të trajtojë seriozisht këto vrasje.
Rudi ngre pikëpyetje të forta: “Pse nuk protestuat atëherë? Pse heshtët kur u vranë bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës, kur u plagos babai im vetëm pse ishte me LDK-në?”
Ai shpreh zhgënjimin me lidershipin e kaluar të LDK-së, që sipas tij, nuk bëri asgjë për zbardhjen e këtyre vrasjeve. “Sot më vjen me qesh kur i shoh thirrjet për drejtësi të atyre që vetë i patën akuzuar këta njerëz për vrasje,” shkruan ai.
Në fund, ai e mbyll me një mallkim të dhimbshëm që e ka përsëritur në nisje dhe përmbyllje të reagimit:
“Iu mallkoftë karroca e babit tim… njëherë na vratë, sot po na vrisni për së dyti.” /Kosova.info/
