Rezolutë unanime për Ukrainën në Kuvendin e Shqipërisë
Në Tiranë, Kuvendi mbajti një seancë plenare rreth tre orë me diskutime kushtuar ngjarjeve të Ukrainës dhe miratoi një rezolutë në mbështetje të saj përballë sulmit rus.
Rezoluta “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjes së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe te sigurisë evropiane” u miratua njëzëri nga deputetët, 123 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Deputetët mbanin në gjoks fjongo me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, secili prej tyre mbajti një tabelë me shënimin “Ne mbështesim Ukrainën”, ndërsa pranë foltores dhe në çdo karrige ishin vendosur bluza me flamurin shqiptar dhe atë ukrainas.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes kësaj rezolute “dënoi me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës”.
Në rezolutë thuhet se ky është një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, shkel hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh, që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.
Kuvendi i Shqipërisë nxit dhe mbështet, me këtë rezolutë, veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, ShBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit botëror të marrëdhënieve midis shteteve.
Kuvendi mbështeti sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.
Në rezolutë Kuvendi bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson si krime lufte aktet e ushtrisë ruse kundër civilëve të pafajshëm, dhe kërkoi që shkaktarët e këtij agresioni të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kuvendi i kërkoi qeverisë që të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.
Deputetë nga të gjithë partitë politike shprehën revoltën e tyre ndaj sulmit rus mbi Ukrainën dhe solidaritetin e tyre me qëndresën e popullit të saj ndaj këtij agresioni.
Deputetja socialiste Mimi Kodheli theksoi se autoritetet shqiptare kanë bërë këto ditë hapat e duhur për të qëndruar përkrah popullit ukrainas në arenën diplomatike ndërkombëtare si në OKB edhe me miratimin e sanksioneve të ngjashme me ato të Bashkimit Europian në fushën e ekonomisë dhe të sigurisë.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për popullin ukrainas dhe autoriteteve të Ukrainës, si dhe dënoi ashpër agresionin rus, duke shprehur shpresën që ky agresion të zbrazet dhe Ukraina të gëzojë në paqe dhe prosperitet lirinë, sovranitetin të integritetit territorial.
Deputeti Petrit Vasili propozoi një amendament në rezolutë, sipas të cilës Kuvendi t’i kërkojë qeverisë të dalë menjëherë nga Nisma e Ballkanit të Hapur dhe të shfuqizojë marrëveshjet e kësaj nisme, përderisa Serbia është rreshtuar në anën e Rusisë gjatë këtyre ditëve të sulmit ushtarak mbi Ukrainën dhe sepse kjo Nismë, sipas tij, u provua se është në dëm të kombit shqiptar dhe në dobi të Serbisë. Rezoluta për Ukrainën u miratua njëzëri nga deputetët pa përfshirë amendamentin i tij.
