Rrëzohen shtyllat elektrike në Istog, eksperti thotë se erërat e pasdites në Kosovë hyjnë në kategorinë e fatkeqësive natyrore

Erërat e forta që janë paralajmëruar për pasditen e sotme, hyjnë në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si të tilla mundë të jenë të rrezikshme e të shkaktojnë dëme, por edhe të rrezikojnë jetën e vet qytetarëve të vendit.

Kështu ka thënë drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh, Tahir Ahmeti, i cili ka thënë se qytetarët gjatë kësaj periudhe, duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve të tyre.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot pasdite vendi do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s”, ka thënë ai.

Erërat e fuqishme në Istog, kanë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik, duke rrëzuar disa shtylla elektrike.

Përndryshe, edhe Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë-KEDS, sot ka informuar se si rezultat i erërave të forta, janë dëmtuar përçues elektrikë dhe shtylla elektrike në disa vende, duke lënë pa furnizim me energji elektrike një numër të caktuar të konsumatorëve.

KEDS-i ka potencuar se ka shtuar ekipet në terren në mënyrë që të sanojnë dëmet e shkaktuara.

“Erërat e forta që filluan dje në disa rajone të Kosovës, kanë vazhduar edhe sot thuaja në tërë territorin e Kosovës. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë në këto zona të afektuara nga erërat dhe shpresojmë se në një afat sa më optimal gjendja me furnizim me energji elektrike do të kthehet në normalitet”, ka bërë të ditur KEDS-i. /Kosova.info/

Go to TOP