Rreth 4 miliardë euro buxhet, Murati tregon ku do shpërndahen paratë e shtetit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes shmangies nga afatet procedurale kanë nisur shqyrtimin e buxhetit të Republikës për vitin 2026.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky dokument financiar parashihej të miratohej më 31 tetor të vitit të kaluar, gjë që qeveria tha se atë kohë e kishte bërë, por sipas tij, në mungesë të një Kuvendi funksional, por edhe në mungesë të konsensusit, i njëjti nuk ishte miratuar.
Prandaj tha ai kanë pasur zgjatjen buxhetore automatike për dy muajt e parë të vitit dhe zgjatjen që e miratoi Kuvendi për muajin mars.
Por, sqaroi se këto zgjatje mjaftojnë vetëm për shpenzimet rrjedhëse, dhe tha se, sa i përket prokurimeve të reja është e pamundur të iniciohen procedurat pa e pasur zotimin e mjeteve.
“Duke parë këtë situatë, duke qenë të vetëdijshëm edhe për situatën emergjente që na pret sa i përket lëvizjes tutje dhe zhbllokimit të buxhetit qoftë për nivelin qendror apo edhe për atë komunal, ne i kemi propozuar si Ministri e Financave, Qeverisë që të procedojnë projektligjin ashtu siç ka qenë, duke mos reflektuar domosdo tash për tash ndryshmet e nevojshme për të gjitha prioritetet, por edhe për strukturën e qeverisë, që këtë ta bëjmë në një rishikim më pastaj”, tregoi Murati para deputetëve.
Ai tregoi se çka ndryshon te ky projektbuxhet.
“Është projektligji që është miratuar me 31 tetor të vitit të kaluar, ashtu siç e ka paraparë ligji, e vetmja gjë që ndryshon ka të bëjë me pagën e 13 që është paraparë që jo në fund të vitit, por të bëhet në fillim të vitit”, tregoi tutje ai.
Murati tregoi gjithashtu ka zbërthyer kategoritë në të cilat do të shpenzohet buxheti.
“Paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 358 milionë euro dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro apo 807 milionë euro të financuara nga granti apo buxheti i rregullt si dhe 100 milionë euro të financuara nga klauzola e investimeve”, tha Murati para ligjvënësve.
