Jerevani raporton për armëpushim të pakonfirmuar me Azerbajxhanin

Një zyrtar i lartë armen ka thënë se shteti i tij ka arritur marrëveshje për armëpushim me Azerbajxhanin, pas dy ditësh luftime të ashpra.

Luftimet e tyre lidhen me kontestin e vjetër me dekada për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Armen Grigorian, Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Armenisë, i ka thënë televizionit armen se “falë përfshirjes së komunitetit ndërkombëtar, është arritur marrëveshje për armëpushim”.

Në njoftim është thënë se armëpushimi është duke u zbatuar që disa orë.

Ministria armene e Mbrojtjes ka thënë disa orë më herët se janë ndaluar të shtënat me armë zjarri në kufi.

Megjithatë, Azerbajxhani nuk është deklaruar rreth ndonjë armëpushimi që do të ndalte luftimet më vdekjeprurëse në mes të të dyja shteteve prej vitit 2020.

Në Jerevan, mijëra njerëz kanë dalë në protesta më 14 shtator, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, të cilin e akuzojnë se po e bën për vete Azerbajxhanin.

Protestat spotane kanë shpërthyer pas deklarimit të Pashinianit në Parlament se ai është gati “të marrë vendime të vështira për hir të paqes”.

“Ne duam të nënshkruajmë një dokument, dhe pas këtij vendimi shumë njerëz do të na kritikojnë, mallkojnë dhe do të na shpallin tradhtarë”, ka thënë Pashinian.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësi për përmbajtjen e dokumentit.

Më 14 shtator, është shënuar dita e dytë e luftimeve në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, teksa liderët botërorë kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të konfliktit.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e ri të konfliktit.

Armenia ka thënë se të paktën 100 ushtarë të saj janë vrarë, derisa Azerbajxhani ka thënë të ketë humbur 50 ushtarë.

Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë, janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6.000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit 2020.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij, janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Go to TOP