Rohde thotë se po i ndjek me shqetësim raportimet për ndalimin e zyrtarit të Leposaviqit nga Serbia
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se po ndjek me shqetësim raportimet për ndalimin e shefit të administratës në Komunën e Leposaviqit nga autoritet në Serbi.
Ai ka thënë se kjo nuk është hera e parë në muajt e fundit që ndalohen persona në pikat kufitare që dyshohet se për ndërhyrje politike.
“Duke ndjekur nga afër raportet shqetësuese për ndalimin e shefit të administratës së Leposaviqit në Serbi. Nuk është hera e parë në muajt e fundit që arrestimet në pikën kufitare ngre dyshime për ndërhyrje politike. Pritet që ankesa zyrtare të shqyrtohet shpejt”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.
10 ditë në burgjet e Serbisë pritet t’i kalojë drejtori i administratës së Komunës së Leposaviqit Nikolla Radomiroviq.
Ky dënim i është shqiptuar atij, pasi institucionet e drejtësisë në Serbi po e akuzojnë për përdorim të armës së ftohtë.
Ai është ndaluar më 9 shtator nga autoritetet e Serbisë. Pas këtij veprimi ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030. Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, kishte shkruar ai.
