Rodrygo s`joshet nga Arabia Saudite
Sulmuesi i Real Madrid, Rodrygo, ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të largohet nga klubi madrilen, pavarësisht interesimit të madh nga klubet e Arabisë Saudite.
Braziliani, i cili ka shënuar dymbëdhjetë gola dhe ka dhënë tetë asistime në tridhjetë e një ndeshje këtë sezon, ka theksuar se e ardhmja e tij mbetet te “Los Blancos”.
Në konferencën për shtyp të hënën, Rodrygo ka pranuar se ka pasur oferta të rëndësishme, por ka theksuar se nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në negociata.
“Detajet e ofertave nga Arabia Saudite janë më shumë çështje e babait tim, i cili është edhe agjenti im, dhe e klubit. Nuk di shumë për detajet, por jam shumë mirënjohës për interesimin e klubeve të tjera”, është shprehur ai.
Megjithatë, braziliani e ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë te Real Madrid dhe të vazhdojë të luajë për klubin në nivelet më të larta.
“Jam shumë i lumtur këtu. Kam qenë për një kohë të gjatë te Real Madrid. Gjithmonë e kam thënë, të luash me këtë fanellë në Champions League është diçka e veçantë”, ka theksuar Rodrygo.
Njëzet e katër vjeçari ka një kontratë të vlefshme me Real Madrid deri në vitin 2028.
