Haradinaj: Dështimi i KQZ-së kërcënon demokracinë, kërkohet hetim urgjent

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar dështimin e sistemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në zgjedhjet parlamentare të fundit. Në një deklaratë, ai theksoi se për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk janë bërë të njohura as pas 24 orëve.

Haradinaj e lidh këtë dështim me “zëvendësimin e kuadrove profesionale me militantë partiakë” dhe angazhimin e “kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë.”

“Kapja e institucioneve të pavarura nga qeveria Kurti ka arritur kulmin me dështimin e plotë të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare”, ka shkruar ai.

Ai ka ngritur shqetësime mbi raportimet nga terreni, të cilat, sipas tij, dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore.

“Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe sistemit të ‘dështuar teknik’, po tentohet të tjetërsohet vullneti i qytetarëve,” ka theksuar Haradinaj, duke e cilësuar këtë si goditje të rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat Kosova ka luftuar.

Haradinaj ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të hetuar manipulimet dhe për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP