Rizvanolli: Masat emergjente, kompetencë e Komitetit Teknik
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është sqaruar rreth masave emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.
Ajo thotë se propozim-vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë nuk parasheh ndërmarrjen e masave specifike por parasheh themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë i cili do bëjë rekomandimet për masa.
“Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK)”.
Rizvanolli deklaron se ky komitet do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendimin dhe publikojë masat kufizuese.
“Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë”.
“Propozim-vendimi i miratuar sot ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe kryerjen e shërbimeve të domosdoshme për menaxhimin e sigurisë së rrjetit. Për më shumë, ky propozim-vendim ka për qëllim trajtimin e kategorisë së konsumatorëve të mbrojtur në përputhje me legjislacionin për energji”.
