Rizvanolli: Kosova e gatshme për bashkëpunim me SHBA-në për energjinë

Ministrja Rizvanolli mori pjesë në samit me ftesë të sekretarit Wright dhe Burgum. Gjatë panelit ministror me titullin: “Një partneritet i qëndrueshëm transatlantik”. Gjatë këtij paneli ajo falënderoi SHBA-në për rolin udhëheqës në forcimin e “pavarësisë dhe sigurisë energjetike të Evropës”, duke theksuar se siguria kombëtare është siguri energjetike dhe bashkëpunimi me shtetet partnere është “vendimtar për një sektor energjetik të sigurt”.

Sipas njoftimit për media, Rizvanolli tha se për Kosovën përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet kyç dhe shteti ndjek një qasje të dyfishtë: “rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja, përfshirë gazifikimin e thëngjillit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë dhe kompanitë amerikane”.

Kosova pjesën më të madhe të energjisë e siguron përmes dy termocentraleve të vjetruara me thëngjill, Kosova A dhe B dhe pjesën tjetër nga burime të ripërtërishme.

Më 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të mos e çonte përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Një arsye për mos çuar përpara projektin, Rizvanolli atëbotë kishte përmendur edhe çështjen e kostos së projektit.


Go to TOP