Rezoluta 26 paraqitet në Kongresin Amerikan: Thirrje për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuara e parë që foli publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka cilësuar si një hap të rëndësishëm në luftën për drejtësi paraqitjen e Rezolutës 26 në Kongresin Amerikan. Kjo rezolutë, e mbështetur në mënyrë dypartiake nga anëtarë të Kongresit Demokratë dhe Republikanë, bën thirrje për drejtësi dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve të dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Rezoluta është paraqitur nga kongresistja Julie Johnson dhe është mbështetur nga një grup i gjerë ligjvënësish përfshirë Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandria Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Lawler dhe Ilhan Omar. Ajo thekson nevojën për njohje ndërkombëtare të traumës së përjetuar nga viktimat dhe rëndësinë e drejtësisë si themel për paqe të qëndrueshme.

Krasniqi Goodman ka shprehur mirënjohje të thellë për aktivisten Vera Mjeku, bashkëhartuese e rezolutës dhe promovuese e përpjekjeve të pandalshme për mbështetje në Kongresin Amerikan. Ajo ka falënderuar gjithashtu të gjithë ata që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahës të kësaj nisme.

“Ky është një moment historik për mua dhe për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë. Kjo rezolutë është një zë i fuqishëm për drejtësi dhe dinjitet,” deklaroi Krasniqi Goodman.

Rezoluta 26 pritet të shqyrtohet nga Komisioni për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, për të avancuar më tej në procedurë dhe për të nxitur një angazhim më të thellë ndërkombëtar ndaj çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale në konfliktet e armatosura. /Kosova.info/


Go to TOP