Rexha: AGK njeh, respekton dhe çmon shumë punën e secilit

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës ka tubuar sonte të gjithë gazetarët që kanë punuar në kohën e okupimit dhe nga 1998 deri më 1999 për t’iu ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në misionin e tyre. Kjo ditë u zgjodh pikërisht në 25 vjetorin e shënimit të çlirimit të Kosovës.

Me këtë rast kreu i Asociacionit të gazetarëve të Kosovës Xhemail Rexha tha se është nder i madh që sot kemi arritur të bëjmë bashkë gazetarë, fotografë, kameramanë e punëtorë të tjerë medial që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari e medie, në kohët më të vështira për vendin tonë.

“Me këto mirënjohje modeste, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka për qëllim të tregojë që njeh, respekton dhe çmon shumë punën e secilit. Kjo punë e juaja vazhdon të shërbejë si inspirim për gjenerata të tëra të reja të gazetarëve”, tha Rexha.

Pavarësisht njoftimit me kohë, Rexha tha se, të gjithë gazetarët që nuk kanë arritur ti kontaktojnë ose kanë mbetur jashtë listës, ajo do të përditësohet në ditët në vazhdim.

Në këtë mbrëmje shumë gazetarë evokuan kujtimet nga ajo periudhë e rëndë duke sjellë rrëfimet e tyre nga terreni.

Ish gazetari i së përditshmes “Kosova Sot”, Ilir Krasniqi, në një postim tha se shërbimi për opinionin publik në kohët më të vështira është vetë shpërblimi më i madh. Kjo mirënjohje do të më shërbejë si pjesë e një kujtese të vazhdueshme për gjithë atë periudhë sado në dukje e shkurtër, por mjaft e vështirtë në rrethanat që ishin.

“Si pjesë e së përditshmes “Kosova Sot”, misionet tona kanë qenë rutinë e përditshme në terren, atëherë edhe kur kryeqendra në orët e pasdites pothuaj nuk frymonte. Të gjithë kolegët e mi do t’i përgëzojë për punën dhe angazhimin e tyre, ku funksiononim si një trup. E kujtoj me mallëngjim kryeredaktorin e ndjerë Ibrahim Rexhepi i cili tejkalonte detyrën e tij, duke pritur kthimin e gazetarëve nga terreni, që shpesh ndodhte pak para orëve të mesnatës. Faleminderit AGK për këto mirënjohjeje, e më shumë për këtë takim, ku na rikthyen kujtimet nëpër ato periudha të vështira. Respekt për të gjithë kolegët e asaj periudhe të të gjitha mediave”.

Go to TOP