Rënia e madhe e VV-së: Zero komuna në raundin e parë, 12 në balotazh – vetëm në 3 është e para

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë, por ka arritur të shkojë në balotazh në 11 komuna, ndonëse ka pasur rënie të madhe në vota.

Lëvizja Vetëvendosje ka humbur rreth 230 mijë vota nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit llogaritur në votën popullore në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje do të shkojë në balotazh në Komunën e Gjakovës, pasi atje kandidatja e tyre Mimoza Kusari-Lila arriti t’i fitojë 37,08 përqind të votave, karshi Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që doli i pari në këtë garë me 46,00 përqind.

Vetëvendosje ka dalë e para në komunën e Gjilanit duke shkuar kështu në balotazh me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Alban Hyseni i LVV-së mori 44,50 përqind të votave, ndërsa Lutfi Haziri i LDK-së mori 43,88 përqind të tyre.

LVV do të jetë në balotazh edhe në komunën e Kaçanikut. Jeton Raka i cili mori 33,18 përqind të votave në raundin e parë do të përballet me Besim Ilazin e Partisë Demokratike të Kosovës që ka marrë 44,75 përqind duke u radhitur i pari në këtë komunë.

Në vendin e dytë LVV ka dalë edhe në komunën e Fushë Kosovës. Kandidati i këtij subjekti politik Enver Bajçinca ka shkuar në balotazh me Burim Berishën e LDK-së i cili nuk arriti ta mbyllë pa balotazh garën vetëm për 04%. Bajçinca në këtë komunë ka arritur 25.33 përqind, ndërsa Burim Berisha i LDK-së 49,96 përqind.

LVV e dyta ka dalë edhe në Kamenicë. Atje, Kadri Rahimaj i këtij subjekti politik ka marrë 30,37 përqind kundër kandidatit të Partisë Socialdemokrate Qëndron Kastratit 32,69 përqind.

Obiliqi “i ka rrëshqitur” nga duart Xhafer Gashit dhe kjo ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të jetë në balotazh edhe në këtë komunë. Halil Thaçi nga ky subjekt politik ka marrë vetëm 20,00 përqind, por mjaftueshëm për ta kapur balotazhin pasi kryetari aktual nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin ka marrë vetëm 48,25 përqind.

Rahoveci është një komunë tjetër ku LVV garon në balotazh si e dyta. Visar Korenica ka mbledhur 24,78 përqind të votave, mjaftueshëm për ta futur në balotazh Smajl Latifin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 47,23 përqind të votave.

Në vendin e dytë LVV ka mbetur edhe në Podujevë. Atje Shpejtim Bulliqi ka marrë 44,00 përqind të votave, ndërsa Ekrem Hyseni i LDK-së ka marrë 44,30 përqind të tyre.

LVV është radhitur e para në Prishtinë me Arben Vitinë. Ai ka mbledhur 42,33 përqind të votave dhe do të garojë në balotazh me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama i cili ka marrë 29,35 përqind të votave.

E para Vetëvendosje është edhe në qytetin e Prizrenit. Mytaher Haskuka ka marrë 40,43 përqind të votave në këtë komunë duke lënë pas vetës Shaqir Totajn e PDK-së me 31,10 përqind.

LVV është e para edhe në Shtime, por megjithatë me një diferencë fort të ngushtë. Qemajl Aliu ka arritur të marrë 45,10 përqind të votave, kurse Naim Ismajli i PDK-së ka marrë 44,64 përqind.

Arsim Ademi i LVV-së në komunën e Vitisë ka arritur t’ia lëkund karrigën Sokol Halitit të LDK-së. LVV në këtë komunë me Ademin ka arritur t’i fitojë 34,85 përqind të votave, ndërsa Sokol Haliti i LDK-së ka marrë 41,78 përqind.

Go to TOP