Reisul Ulema përcolli mesazhe paqeje në hutben e Fitër Bajramit

BOTA KA NEVOJË PËR MË SHUMË MIRËKUPTIM DHE SOLIDARITET

SHKUP – Mesazhe për paqe, solidaritet dhe përgjegjësi njerëzore në një kohë kur bota përballet me tensione dhe konflikte të shumta u përcollën nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai gjatë hutbes së Fitër Bajramit të mbajtur në Xhamia e Mustafa Pashës, ku të pranishëm ishin Kryetari i Parlamentit z. Afrim Gashi dhe zëvendës Kryeministri i Parë z. Bekim Sali, Ambasadori i Republikës së Turqisë Sh.T. Fatih Ulusoy, myftinjtë e BFI e RMV, Drejtori i Medresesë Isa Beu, drejtorët e sektorëve të ndryshme të Rijasetit të BFI, mysafirë nga vendi e jashtë si dhe qindra besimtarë të cilët morën pjesë në manifestimin qendror të organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Xhamia historike në zemër të Shkupit ishte e mbushur përplot me besimtarë që kishin ardhur për të falur namazin e Fitër Bajramit dhe për të përjetuar atmosferën e veçantë shpirtërore të kësaj dite të madhe.
Në hutben e tij, Reisul Ulema theksoi se Fitër Bajrami vjen si rezultat i një muaji të tërë përkushtimi shpirtëror dhe sakrifice gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, periudhë që i mëson besimtarët për vetëdisiplinë, durim dhe përkushtim ndaj vlerave më të larta njerëzore.
“Agjëruam ditët e Ramazanit duke ngritur vetëdijen tonë për Zotin, për botën dhe për njeriun. Pastruam shpirtin dhe zemrat tona dhe forcuam bindjet tona mbi dijen, moralin dhe familjen,” theksoi ai.
Në mesazhin e tij, ai vuri theks të veçantë te rëndësia e ruajtjes së paqes dhe respektimit të jetës njerëzore, duke paralajmëruar se paqja në botë mbetet e brishtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë.
Sipas tij, përvoja e Ramazanit dhe sakrifica e agjërimit duhet të shërbejnë si një kujtesë për njerëzimin se vlerat morale dhe respekti për dinjitetin njerëzor janë themeli i një shoqërie të shëndoshë.
Reisul Ulema theksoi se ndjenja e urisë dhe etjes gjatë agjërimit është një thirrje për më shumë dhembshuri dhe kujdes ndaj njeriut, ndërsa paqja dhe solidariteti që kultivohen gjatë Ramazanit duhet të shndërrohen në udhërrëfyes për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më paqësore.
Në këtë kontekst, ai paralajmëroi për rreziqet që i kanosen njerëzimit nga luftërat, dhuna dhe padrejtësitë, duke bërë thirrje për shmangien e konflikteve, masakrave dhe gjenocideve dhe për forcimin e kulturës së paqes.
Krahas sfidave globale, në fjalimin e tij ai u ndal edhe te problemet morale dhe shoqërore me të cilat përballen shoqëritë moderne, duke bërë thirrje për luftë kundër dukurive që dëmtojnë individin dhe shoqërinë, si korrupsioni, narkomania dhe veset e tjera që rrezikojnë të ardhmen e të rinjve.
Duke folur për domethënien e kësaj feste, ai theksoi se Fitër Bajrami është një ditë pajtimi, afrimi dhe forcimi të lidhjeve familjare dhe shoqërore, duke ftuar besimtarët që në këtë ditë të hapin zemrat e tyre, të falin njëri-tjetrin dhe të kultivojnë frymën e dashurisë dhe mirëkuptimit.
Në përfundim të hutbes, Shaqir ef. Fetai, në emër të Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij personal, uroi të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit, duke lutur që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe mirësi në familjet dhe në shoqërinë tonë.
“Lusim Allahun e Madhëruar që të na i pranojë agjërimet, lutjet dhe veprat tona të mira dhe që kjo festë të jetë burim paqeje, begatie dhe lumturie për të gjithë,” përfundoi ai.

Go to TOP