Regjistrimi i popullsisë pritet të ndikojë në financimin e komunave

Me rastin e publikimit të analizës `Regjistrimi i Popullsisë, Ndikimi në Financimin e Komunave`, u tha se komunat që kanë pasur rritje të numrit të banorëve e po ashtu edhe të financimit janë ajo e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Graçanicës.

Ndërsa, ulje të financimit thuhet se ka pasur në Komunën e Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Podujevës.

“Në vitin 2026 për 22 milionë e 700 mijë euro do të zvogëlohet financimi për 25 komuna, ndërsa për 13 komuna do të ketë rritje të financimit për 22.3 milionë euro”, tha Besnik Muçaj, Menaxher i Programeve, në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale.

Ndërsa, Arbër Vokrri, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal u zotua për mbështetje financiare të nivelit lokal, derisa edhe kërkoi bashkëpunim mes dy niveleve.

“Kjo qeveri e ka dëshmuar interesimin që ta ndihmojë qeverisjen lokale financiarisht me faktin se është rritur granti i përgjithshëm. Ndërsa, ministria jonë me kapacitetet tona bënë përpjekje për ta ndihmuar qeverisjen lokale financiarisht. Është shqetësuese se ka një trend negativ demografik. Vetëm një numër i vogël i komunave kanë përjetuar rritje të popullsisë. Kjo duhet të adresohet nga shoqëria dhe shteti”, theksoi ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Besnik Tahiri ngriti nevojën për ndryshimin e Ligjit për Financa Lokale.

“Shihet qartë që regjistrimi i popullsisë ka ndikim në financimin e komunave. E shohë si jetike që fokusi i parë të jetë tek Ligji për Financa Lokale. Ligji ka hapësirën e diskutimit thelbësor për shkak se në Kuvend nuk na duhen 2/3. Unë jam i bindur që ligji do të ketë mundësi të rishikohet qe të adresohet rezultati i regjistrimit të popullsisë. Ky rezultat do të shtynte përpara temën e rishikimit të sistemit të decentralizuar të qeverisjes lokale në Kosovë”, shtoi ai.

Go to TOP