Refuzimi i Gastronomisë…..!

Shkruan: Naza KRASNIQI

Gastronomia po refuzon, që klientëve t’ua shërbejë ujin nga çezma, pa asnjë arsyetim, vetëm me një fjali: “nuk shërbejmë nga çezma”, veprim që është kundërshtim me vendimin e qeverisë, kështu që gastronomia gotën ujit po e shfrytëzojnë për të fituar nga xhepi i varfër i qytetarëve. Kjo përgjigje së pari nuk përkon, as me traditat tona shqiptare as morale, por mbi të gjitha shkel vendimin e qeverisë, që lokalet e gastronomisë t’i shërbejnë mysafirët me ujë nga çezma. Ne si familje jemi rritur me gjestin dhe traditën, se sofra e bukës dhe kafja nuk shërbehen pa ujë, por pse gota e ujit është bërë biznes dhe një lloj mjeti për të goditur qytetarët nga ky shërbim, e që duhet të jetë as me pak as me shumë se parim humanitar.

 Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri me kabinetin qeveritar të datës 04.07.2022 ka nxjerr vendimin Nr.10/86, në të cilin obligohen që gjitha lokalet e gastronomisë të shërbejnë ujë nga çezma për mysafirët. Në pikën 1 të vendimit të qeverisë ceket konkretisht: Në rast, kur objektet e gastronomisë furnizohen me ujësjellës publik, pronari i bizneseve nuk mundet t’i ndalojë mysafirët të shërbehen me ujë rubineti. Prej hyrjes në fuqi të këtij vendimi, një pjesë lokaleve të gastronomisë nuk e kanë zbatuar asnjëherë. Por, mos zbatimi i këtij vendimi e bënë përgjegjës edhe inspektoratin sanitar.

 Inspektorati sanitar nuk po e kryen punën, për të cilën është ngarkuar me këtë vendim, për të mbikëqyrë dhe dënuar të gjithë ato lokale, që nuk e respektojnë vendimin për të shërbyer mysafirët me ujë të pastër. Edhe pse ka ankesa të shumta nga mysafirët për mos shërbim, asnjëherë nuk është dhënë ndonjë gjobë siç parashihet me Ligjin për Inspektorat Sanitar. Ky inspektorat është nën mbikëqyrje të Ministrisë së Shëndetësisë sipas Nenit 2 të LIGJIT NR. 2003/22.

Shpresoj që Inspektoratit sanitar, urgjentisht të fillojë me mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi qeveritar dhe menjëherë të gjobiten me gjobë të gjitha lokalet, të cilat nuk e zbatojnë.

 Apeloj edhe te të gjithë qytetarët, që ballafaqohen me ato lokale, në të cilat nuk shërbejnë ujë të pastër, të vërshohen me ankesa në adresë të Inspektorati sanitar, sepse është e vetmja metodë për të filluar njëherë e përgjithmonë të vetëdijesohemi, që problemet t’i zgjedhim me presionin qytetar ndaj atyre, që e kanë obligim zbatimin e normave ligjore dhe atyre, që janë përgjegjës për të monitoruar dhe gjobitur të gjithë ata që shkelin normat ligjore. Këtij shkrimi i bashkëngjis edhe vendimin e qeverisë.

Go to TOP