Realizohet rehabilitim protetik në QKSUK te pacienti pas kancerit maksilar
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se në Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës është realizuar një ndërhyrje protetike e specializuar – vendosja e një obturatori, protezë dentare që shërben për mbylljen e defekteve të qiellzës ose nofullës së sipërme, me qëllim rikthimin e funksionit dhe estetikës orale.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, pacienti A.S., i lindur në vitin 1971, më herët i është nënshtruar trajtimit kirurgjik në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, me diagnozë OSCC gradë III, ku është realizuar ndërhyrja kirurgjikale maxillectomia partialis inferioris. Pas këtij trajtimi, pacienti ka vazhduar ndjekjen e rekomandimeve dhe trajtimin onkologjik në konsultim me mjekët specialistë onkologë.
Më tej, pas vlerësimit klinik të defektit postoperativ të krijuar si pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale, ekipi mjekësor ka vendosur që rehabilitimi funksional dhe estetik të realizohet përmes trajtimit protetik me obturator. Ky proces është realizuar si rezultat i bashkëpunimit profesional ndërmjet klinikave përkatëse, në trajtimin e rasteve komplekse të kësaj natyre dhe në përputhje me protokollet e Protetikës Maksillo-Faciale.
SHSKUK thekson se ky lloj rehabilitimi ka për qëllim përmirësimin e funksioneve orale të pacientit, duke përfshirë të folurin, gëlltitjen dhe përtypjen, si dhe rikthimin e integritetit anatomik dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetës. /Kosova.info/
