Rasti Pantiq, KPK thotë se është shqetësim çfarëdo që del nga goja e pushtetit
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovë (KPK), Jetish Maloku ka komentuar vendimin për lirimin në arrest shtëpiak të ish-policit, Dejan Pantiq.
Teksa u pyet se si e sheh që Pantiq nuk u arrit të transferohej në Prishtinë, pas kërkesës së prokurorit të rastit, tha se nuk mendon që Prokuroria është përgjegjëse.
Ai ka thënë se institucionet përkatëse duhet që ta sigurojnë personin në fjalë.
“Në aspektin e mos-arritjes së të dyshuarit, nuk mendojmë se është përgjegjës Prokuroria. Janë institucionet përkatëse që duhet ta sigurojnë personin në fjalë. Duhet t’i pyetni të tjerët”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu tha se kanë reaguar për të njëjtën gjë, ndonëse tha se në atë reagim kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Sa i përket reagimeve, ju e keni pranuar reagimin tonë. Aty kemi shprehur shqetësimin dhe çfarëdo ndërhyrje nga pushteti apo nga përfaqësuesit e pushtetit, qoftë në KPK apo KGJK. S’do t’i shtoja asgjë tjetër atij reagimi. Ka qenë dhe është shqetësim çfarëdo ndërhyrje që del nga goja e pushtetit”, ka shtuar ndër të tjera ai.
