Raporti zviceran për Rastin Dehari, Ministrja godet Prokurorinë: E manipuluan opinionin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka parë raportin plotësues që ka ardhur nga Instituti Zviceran dhe ka thënë se prokuroria ka dalë me komunikatë ku ka përmendur vetëm disa prej konkluzionve.

Haxhiu thotë se Prokuroria e ka manipuluar opinionin publik me komunikatën e saj.

“Po rasti Dehari është më i rëndi që ka ndodhur që nga koha e pasluftës. ajo që e kemi thënë në vazhdimësi asnjëherë nuk është trajtuar, ose më mirë të them se asnjëherë nuk ka pasur vullnet të trajtohet ky rast. Dje e kam pranuar raportin e dytë, ose po them më drejtë raportin plotësues të institutit zviceran. Natyrisht nuik e kam pranuar nga instituti. Dmth nuk ka ardhë nga instituti. Për shkak që nga ajo kohë kur ka ndodhë ky rast, instituti zviceran për shkak të ndjeshmërisë  që ka pasur ka ndërprerë komunikimet me ministrin e drejtësisë. Mirëpo i njëjti ka shkuar tek prokuroria dhe gjykata e tek familja. Këtu më lejoni që të shpreh shqetësimin tim se ende pa shkuar tek familja raporti, prokuroria doli me komunikatë që të manipulojë opinionin publik, për faktin se në atë komunikatë shkruhen vetëm dy prej konkluzioneve e jo raporti i tërë”, tha ajo .

Haxhiu thotë se në raport ceket se provat janë dëmtuar dhe si të tilla nuk kanë mundur të konfirmojë ADN-në e një personi të tretë. Ajo paralajmëroi nesër një komunikatë për media ku do t’i bëjë të ditura të gjitha hapat e ardhshëm.

“Mendoj që përmes komunikatës për medie, prokuroria ka tentuar dhe nuk e kuptoj arsyen pse e bënë këtë. Sepse sic e mbaj mend ish-prokurori në atë kohë Sylë Hoxha kishte thënë se është vetëvrasje. Drejtori i Policisë kishte thënë që është vetëvrasje. Kishin dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket rastit. Mirëpo raporti i parë i Institutit Zviceran tregonte që bëhej fjalë për përfshirjen e një personi të tretë. Ndërsa cka më la përshtypje në raportin e dytë se të gjitha provat që i ka marrë ky institut nga prokuroria, kishte thënë se mënyra si i janë dhënë provat, ato janë dëmtuar, ka qenë shumë e vështirë që të gjendet ADN apo t’u bëhet analizë atyre provave. Do ta lexojmë në detaje këtë raport. Po ashtu ën lidhje me veprimet e Prokurorisë do të dalim nesër në një komunikatë me media. Do të jemi edhe në komunikim me familjen Dehari dhe do t’i bëjmë të qarta veprimet që kanë ndodhur”, shtoi ajo.

“Besoj që është e rëndësishme që këtë përgjigje ta marrim nga familja. Por pika e fundit në konkluzione thuhet se prova kryesore se për të ardhur deri tek e vërteta është trupi dhe rrjedhimisht ajo thotë se nuk është përdorur fare. Dikush duhet të marrë përgjegjësi se pse nuk janë bërë analizat e duhura të trupit. Pasi nëse lexon pikën e fundit thuhet se e vetmja mundësi për të ardhur tek e vërteta dhe nuk është dhënë mundësia që të përdoret aq sa duhet për provë. Nesër do të dalim me komunikatë”, përfundoi ajo.

Go to TOP