Raporti i GAP: Emigrimi dhe joaktiviteti ekonomik po e thellojnë mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë

Instituti GAP ka publikuar raportin e tij më të ri me titull “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”. Ky raport u prezantua në kuadër të një diskutimi të organizuar nga Forumi i Platformës për Dialog Publiko-Privat të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI), i cili trajtoi sfidat dhe zhvillimet në fushën e fuqisë punëtore.

Sipas gjetjeve të raportit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të shkallës së lartë të emigrimit dhe përqindjes së lartë të personave në moshë pune që nuk janë ekonomikisht aktivë. Deri në vitin 2023, rreth 359 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova duke përfaqësuar 22.6% të popullsisë së përgjithshme. Në të njëjtën kohë, numri i të kthyerve dhe i të huajve që jetojnë në vend është vetëm rreth 99 mijë persona.

Vetëm në vitin 2024, Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi 8,293 leje qëndrimi për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 për qëllime punësimi. Emigrantët vijnë kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe vende të Azisë si Bangladeshi dhe Filipinet. Megjithatë, mbi gjysma e këtyre lejeve janë vazhdim i viteve të kaluara, dhe nuk arrijnë të mbulojnë mungesën në tregun e punës.

Raporti vlerëson se një zgjidhje më e qëndrueshme do të ishte rritja e përfshirjes së personave në moshë pune që janë aktualisht joaktivë. Nga rreth 1.1 milion qytetarë në moshë pune, vetëm 461 mijë janë aktivë ekonomikisht (43%), ndërsa 613 mijë (57%) janë joaktivë. Nga këta të fundit, 66% janë gra duke e bërë përfshirjen e grave në tregun e punës një nga sfidat më të mëdha në Kosovë, që renditet ndër vendet me pjesëmarrjen më të ulët të grave në punësim në Evropë dhe botë.

Një tjetër kategori shqetësuese janë të rinjtë: 78 mijë prej tyre, apo 30%, nuk janë të angazhuar në arsim, punë apo trajnim (NEET), një përqindje që tejkalon ndjeshëm mesataren e Bashkimit Evropian dhe është më e larta në rajon.

Sipas raportit, sektorët më të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtaria, tregtia, gastronomia, hoteleria dhe prodhimi. Shumica e pozitave në këto fusha nuk kërkojnë kualifikime të larta dhe mund të plotësohen përmes trajnimeve të shkurtra – një mundësi për angazhimin e fuqisë punëtore joaktive në vend.

Raporti i GAP nënvizon nevojën për politika të koordinuara për të mobilizuar fuqinë punëtore të papërdorur, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, në mënyrë që të zvogëlohet varësia nga punëtorët e huaj dhe të rritet qëndrueshmëria e tregut të punës në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP