Ramadani: Drita duhet ta kërkojë fitoren më shumë se Malisheva
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar se skuadra ka analizuar mirë skuadrën e Malishevës dhe është e përgatitur për ndeshjen, e cila zhvillohet të dielën.
Ai e ka cilësuar këtë takim si një derbi, pasi sipas tij, “FC Malisheva është një skuadër e fortë, aktualisht në vendin e tretë, me futbollistë të talentuar dhe një grup mjaft kualitativ”.
Ramadani ka thënë se ndeshjet kundër Malishevës gjithmonë kanë qenë sfiduese dhe të karakterizuara nga ritëm i lartë, pasi kjo skuadër nuk mbyllet pas dhe është e vështirë për t’u menaxhuar.
Sipas tij, FC Drita duhet të ruajë ritmin dhe të japë maksimumin për të siguruar tri pikët që janë thelbësore për objektivin e klubit.
“Nuk do të jetë e lehtë, duhet të japim maksimumin. Duhet të kërkojmë më tepër se ata, duhet ta duam fitoren më tepër se ata, dhe duhet të ‘luftojmë’ në aspektin sportiv që të arrijmë objektivin tonë, që është tri pikët”, ka thënë Ramadani.
Derisa malisheva gjendet në vendin e tretë, Drita aktualisht e kryeson kampionatin dhe ka gjasa të mira për t’u shpallur kampion.
